Historiku, misioni dhe vizioni

Historiku i shkurtër

Universiteti AAB është institucioni i parë jopublik i arsimit të lartë në Kosovë i cili është themeluar menjëherë pas luftës në Kosovë, pas krijimit të rrethanave të reja ekonomike-sociale e kulturore kur u krijuan kushte dhe rrethana për jetë normale të qytetarëve të Kosovës, duke thyer kështu kushtet e një monopoli të gjatë që kishte në fushën e arsimit në vendin tonë.

Në fillimet e tij Universiteti ofroi programe studimore nga fusha e Artit dhe Komunikimit Masiv duke u zgjeruar vazhdimisht me programe studimore në fushat e tjera dhe në këtë mënyrë duke u shndërruar në qendër relevante akademike në vend dhe rajon si dhe për të shërbyer si institucin model i arsimi të lartë jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon. Si institucion jopublik Universiteti AAB ofroi shembull të mirëfilltë të promovimit të autonomisë institucionale dhe lirisë akademike në mësimdhënie dhe kërkim shkencor brenda institucionit.
 
AAB është investimi më i madh, në Kosovë, në fushën e arsimit. Në kampusin universitar në Prishtinë gjenden 4 objekte më dedikim të ushtrimit të veprimtarisë arsimore të pajisura me ambiente moderne për mësimnxënje kreative dhe me  teknologji bashkëkohore. Në kuadër te këtij kampusi, krahas qendrës rekreative sportive që posedon pishinën, fushat e futbollit, volejbollit, tenisit etj., është edhe palestra sportive e cila mundëson zhvillimin e jetës sociale-sportive të studentëve te Universitetit.

Po ashtu me investime vetanake AAB ka ndërtuar edhe dy objekte në Ferizaj dhe Gjakovë ku janë të shtrira degët e veta duke bartur kështu standarde të njëjta akademike dhe infrastrukturore të njëjta me ato që ka në kampusin qendror në Prishtinë.

AAB katër herë radhazi me shumë sukses ka kaluar në procesin e akreditimit dhe vlerësimit dhe tani ofron programe studimore të akredituara dhe të vlerësuara nga ekspertë të jashtëm, në fushën e Ekonomisë, Drejtësisë, Komunikimit Masiv, Arteve, Shkencave Sociale, Gjuhës Angleze dhe Kulturës Fizike në nivelin Bachelor dhe Master.

Nga viti 2010 Universiteti AAB u anëtarësua si anëtar i rregullt në Magna Charta Universitatum duke siguruar në këtë mënyrë njohjen e vlerave universitare dhe duke zgjeruar mundësitë e ndërtimit të marrëdhënieve të forta të bashkëpunimit me më shumë se 750 universitete nënshkruese të këtij dokumenti.

Gjatë viteve të fundit Universiteti është i fokusuar në forcimin e marrëdhënieve me Universitetet në rajon dhe ato evropiane si dhe në zgjerimin e kapaciteteve të tij kërkimore duke siguruar një bazë të fortë për hapjen e studimeve të doktoratës. Në zhvillimin strategjik të institucionit ngritja dhe përmirësimi i cilësisë paraqet komponentin thelbësor të përkushtimit.

Arritja e nivelit të universiteteve të nivelit të lartë kërkon edhe zgjerim në infrastrukturë, në rritjen fondeve dhe në shtimin e mëtejmë të partneriteteve inovative me institucione të tjera evropiane dhe botërore.