Në AAB u mbajt debat për gazetarinë hulumtuese sportive

Prishtinë, 31.05.2012

 

Sportit kosovar në përgjithësi i mungon pasqyrimi në media. Kjo u tha në një debat me temën “Gazetari Hulumtuese sportive në Kosovë”, që u mbajt në Universitetin AAB në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Universitetit AAB 2012”.

 

Në këtë konferencë, përpos drejtuesve të Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit në Universitetin AAB të pranishëm ishin edhe kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, kryeredaktori i sportit në RTK, Gani Kosumi, kryeredaktori i sportit në KTV, Agon Fehmiu, kryeredaktori i sportit në gazetën “Sporti”, Kushtrim Krasniqi, publicistët dhe gazetarët e pavarur të sportit Xhavit Kajtazi dhe Rexhep Hasani.

 

Këtë debat e hapi dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike në Universitetin AAB, Hazir Salihu.

 

Ndërkaq në fjalën e tij, zv.rektori i Universitetit AAB, Shemsedin Vehapi, tha se ideja për debatin me temën “Gazetari Hulumtuese sportive në Kosovë” ka ardhur nga studentët e Fakultetit të Kulturës Fizike në Universitetin AAB në bashkëpunim me studentët e Fakultetit të Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë në këtë universitet.

 

“E dimë se sporti paraqet një industri mjaft të madhe në botë dhe sigurisht që përballet me një grup të gjerë të çështjeve të cilat paraqesin një interes të madh publik. Për çdo ditë flitet për dukuri negative të cilat e përcjellin sportin kosovar... shpesh herë flitet për kurdisje ndeshjesh dhe përdorimin e mjeteve publike nga kjo apo ajo federatë, për keqpërdorime të pozitave nga ky apo ai zyrtar, për sjellje jo sportive, por për çudi lajmet na mbesin vetëm si informacione të cilat shpejt zbehen dhe harrohen”, u shpreh zv.rektori Vehapi.

 

Kryetari i komitetit olimpik, Besim Hasani, në fjalën e tij tha se beson që diskutimet që bëhen në këtë debat do të rezultojnë edhe me punët që të marrin qëndrime të cilat do të jenë në funksion të modelit të gazetarisë hulumtuese në mënyrë që vërtetë të ndihmohen edhe institucionet sportive që disa dukuri negative që padyshim janë në trende të zbuten dhe të ngritet në nivel më të lartë gazetaria hulumtuese në fushën e sportit.

 

Kryeredaktori i sportit të Radio Kosovës, Gani Kosumi, duke falenderuar Universitetin AAB për organizimin e këtij debati, sipas tij mjaft të vlefshëm për sportin kosovar, tha se gazetari hulumtuese në sportin tonë nuk ekziston apo ekziston shumë pak.

“Ka shumë gjëra që nuk është zhvilluar gazetari hulumtuese në Kosovë. Pikë së pari duhet ta kemi të qartë tretmanin e një gazetari sportiv në redaksitë ku punojnë, pastaj redaktorët sportiv sa i mbështesin ata për të bërë gazetari hulumtuese. Mediat kanë një numër të vogël të gazetarëve të cilët mundohen që me ato mundësi që kanë t’i përcjellin ngjarjet sportive për opinionin e gjerë, tha ndër të tjera z.Kosumi.

 

Kryeredaktori i sportit të KTV-së, Agon Fehmiu, tha se për të konkluduar se sa është duke u zhvilluar gazetaria hulumtuese në sportin kosovar, duhet të përfshihen disa aspekte, ai social, ekonomik, politik, kulturor dhe para se gjithash traditës së shoqërisë kosovare.

 

Në fund të këtij debati u parashtruan edhe pyetje nga studentët e Fakultetit të Kulturës Fizike në Universitetin AAB dhe studentëve të gazetarisë, të cilave iu përgjigjen panelistët që ishin të ftuar në këtë debat.

 

Manifestimi “Ditët e Universitetit AAB 2012” do të përfundojë me datë 5 qershor. /Laureta Gashi