Krasniqi në AAB: Të punojmë bashkë për konsolidimin e demokracisë

Prishtinë, 06.06.2012

 

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në një ligjeratë të mbajtur sot në Universitetin AAB, me temën “Demokracia në Kosovë” tha se institucionet dhe populli i Kosovës duhet të bëjnë edhe më shumë për zhvillimin e demokracisë në vend.

 

“Demokracia si proces i mirëfilltë në Kosovë u zhvillua pas luftës. Frymëmarrja e qytetarëve në vitin 1999 ka qenë shumë më e lehtë, andaj mendoj se që nga kjo periudhë në Kosovë ka filluar të zbatohet demokracia e mirëfilltë”, theksoi Krasniqi.

 

Ai tha se ndryshime në proceset demokratike kanë ndodhur edhe në botën e perendimit, por sipas tij, më të thella dhe më përmbajtësore kanë ndodhur në botën e lindjes ose në vendet e demokracisë socialiste, që në fakt kanë qenë sisteme totalitare.

 

“Demokracia si sistem në Kosovë është e re. Ne e dimë se Kosova ka jetuar në një bashkësi që jo pak herë veten e ka quajtur demokratike. Si vend demokratik është konsideruar edhe Serbia e viteve 1912 e më pas. Vend demokratik është konsideruar edhe mbretëria serbo-kroate-sllovene më vonë. Por në Kosovë, realisht demokracia në kuptimin më të mirë të fjalës ka ardhë vetëm pas luftës Çlirimtare. Vetëm pas luftës janë krijuar mundësistë që populli shqiptarë të organizohet në parti politike të mirëfillta”, u shpreh Krasniqi.

 

Ai tha se në 2/3 e botës sundon demokracia, por sipas tij, jo ajo e mirëfilltë.

 

Sa i përket lirisë së fjalës që është parim i demokracisë, Krasniqi tha se “unë vërtetë dua që në Ksoovë të ketë media të lira dhe të pavarura që shkruajnë për interesin e publikut në Kosovë dhe nuk shkruajnë me porosi, që nuk shkruajnë për të denigruar njerëz, por shkruajnë për ta informuar publikun dhe për t’i mbrojtur interesat e vendit të vet”.

 

Kryeparlamentari pohoi se mediat janë pushtet i katërt i një vendi demokratik dhe sipas tij ato duhet të jenë të pavaruara.

 

“Edhe mediat duhet ta dinë për lirinë dhe se demokracia nuk është anarki. Gjithçka që është në interesin e publikut duhet ta bëjnë publike, por jo me përpjekje për të dezinformuar publikun”, tha Krasniqi.

 

Gjatë kësaj ligjerate me studentë të Universitetit AAB, kryeparlamentari Krasniqi foli edhe për procesin zgjedhor në Kosovë, i cili sipas tij nuk lenë për të dëshiruar.

 

“Nuk jemi të kënaqur me ato marifete që bëhen. Mbajtja e zgjedhjeve të lira është një ndër kushtet kryesore të demokracisë dhe unë shpresoj që në të ardhmen të zhvillojmë zgjedhje të lira dhe demokratike ku sovrani do të zgjedhë përfaqësuesit e vet duke bërë kështu që të dëgjohet zëri i tyre”, theksoi Krasniqi. /Jehona Rexhaj