Përmbyllet manifestimi tradicional, “Ditët e Universitetit AAB”

Prishtinë, 15.06.2012

Me një sërë aktivitetesh sot është përmbyllur manifestimi tradicional “Ditët e Universitetit AAB 2012. Në këtë manifestim, i cili zgjati për një muaj rresht, u organizuan ekspozita, kompeticione studentësh në projekte akademike dhe sportive, konferenca, debate, si dhe aktivitete të tjera kulturore e artistike duke pasqyruar kështu jo vetëm punën dhe aktivitetet universitare por duke i dhënë edhe vendit në përgjithësi ngjarje të rëndësishme kulturore, artistike, sportive dhe humanitare.

Një nga pikat kryesore gjatë këtij manifestimi ishte organizimi i garave studentore në projekte të ndryshme mësimore. Komisionet e ngritura nga fakultetet përkatëse kanë shpërblyer punimet më të mira të studentëve pjesëmarrës.

Mbyllja e manifestimit u bë me shpërndarjen e mirënjohjeve dhe kupave për të gjithë ata që kontribuan  për zhvillimin dhe rritjen e Universitetit AAB dhe gjithashtu për ata që i kontribuan këtij manifestimi.

Sot nuk mungoi as pjesa artistike me ç’rast studentet e Fakultetit të Artit Muzikor në Universitetin AAB, Albulena Reka (Solo këngëtare) dhe në piano Anita Surdolli, interpretuan këngën, “Dielli ka Perëndue” të kompozitorit, Prenk Jakova.

Në fund me një fjalë rasti, rektori i Universiteti AAB, Lulëzim Tafa, bëri edhe përmbylljen e manifestimit tradicional, “Ditët e Universitetit AAB 2012”.

Tafa falenderoi të gjithë ata që kontribuuan në avancimin e këtij institucioni arsimor, duke potencuar se lufta për dije do të vazhdojë.

“Kemi pasur një muaj të gjatë, të vishtirë dhe të mundimshëm, por krahas mundimeve na ka dhënë edhe shumë kënaqësi. Më lejoni që formalisht edhe sivjet të shpallë të mbyllur këtë manifestim, duke dëshiruar që kështu së bashku, me suksese edhe më të mdha, të takohemi në edicionin e ardhshëm, “Ditët e Universitetit AAB 2013”, por duke lënë të hapur betejën tonë për dije dhe sukses”, theksoi rektori Tafa në fjalimin e tij përmbyllës. /Jehona Rexhaj